E gjitha ndodhi brenda pak sekondash. Anija ishte ankoruar përpara portit tunizian të Sidi Bou Said.
Një sulm ka ndodhur gjatë natës në ujërat pranë Tunizisë, ku një dron ushtarak ka goditur anijen “Family Boat”, pjesë e Flotiljes Global Sumud, një mision civil me destinacion Rripin e Gazës.
Në bord ndodheshin disa anëtarë të komitetit organizator, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg, Yasemin Acar dhe Thiago Avila.
Sipas dëshmive të aktivistëve, droni ka lëshuar një mjet shpërthyes që ka shkaktuar zjarr në kuvertën e sipërme të anijes.
Fatmirësisht, të gjithë personat në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe flakët janë shuar.
Autoritetet tuniziane, që kanë hapur një hetim zyrtar, mohojnë praninë e një droni dhe raportojnë për një zjarr të shkaktuar nga jelekët e shpëtimit. Por pamjet dhe videot e publikuara nga aktivistët ngrenë dyshime të forta për një sulm të qëllimshëm, të lidhur me paralajmërimet e mëparshme nga zyrtarë izraelitë.
Pamjet e publikuara nga aktivistët tregojnë momentin kur bomba u hodh nga droni dhe dëgjohet qartë shpërthimi. Megjithatë, autoritetet tuniziane duket se po përpiqen të zbusin situatën.
“Sipas hetimeve fillestare, ka ndodhur njzjarr te jelekët e shpëtimit”, tha për agjencinë AFP-në zëdhënësi i Gardës Kombëtare tuniziane, Houcem Eddine Jebabli, duke shtuar se “nuk është konstatuar asnjë dron në zonë”.
Anija me flamur portugez ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe nuk mund të vazhdojë udhëtimin. Flotilja po shqyrton mundësinë që ekuipazhi të transferohet në anije të tjera apo të gjendet një mjet zëvendësues.
Ky është sulmi i dytë ndaj një anijeje të Flotiljes këtë vit, pas incidentit në maj ku anija Al Damir u godit nga dy dronë pranë Maltës.
Marrë nga La Repubblica, përshtatur për Albanian Post