Sulmi me granatë te posta në Zveçan, Haradinaj: S’guxon vendi të kthehet në strehtë të akteve terroriste

 

Pas sulmin me granatë dore në postë të Zveçanit, ka reaguar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – i cili e quajti dëshmi të qartë të qëllimeve agresive të Serbisë ndaj Kosovës, por edhe me vërejtjen se vendi nuk guxon të shndërrohet në strehë të terroristëve dhe akteve të tyre.

Në këtë drejtim ai kërkoi nga autoritetet shtetërore bashkëpunim dhe koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Postimi i Haradinajt:

Sulmet e përsëritura mbi institucionet e Republikës së Kosovës dëshmojnë qartë qëllimet agresive të Serbisë, andaj edhe sulmi i mbrëmshëm është vazhdimësi e logjikës terroriste të lidershipit në Serbi.

Policia dhe institucionet e sigurisë po dëshmojnë qartë aftësinë dhe gatishmërinë për t’i sjellë para drejtësisë ata që guxojnë të cenojnë rendin dhe ligjin në Kosovë.

Përkrahja për këto institucione duhet të jetë e pa rezervë nga Qeveria e Kosovës.

Kosova nuk guxon të kthehet në strehë të terroristëve dhe akteve terroriste, për këtë arsye edhe kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i fuqishëm me aleatët tanë të NATO-s në krye me SHBA.