Sulmi i SHBA-së, BE kërkon zgjidhje diplomatike në konfliktin Iran-Izrael

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka kërkuar një zgjidhje diplomatike pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.

“Tash është momenti që Irani të angazhohet në një zgjidhje diplomatike të besueshme”, ka shkruar Von der Leyen në X.

Sipas saj, tavolina e negociatave është vendi i vetëm për t’i dhënë fund kësaj krize.

Von der Leyen ka shkruar se tensionet në Lindjen e Mesme kishin arritur një kulm të ri dhe tani stabiliteti duhej të kishtepërparësi.

“Respekti për të drejtën ndërkombëtare është me rëndësi thelbësore. Irani nuk duhet të fitojë kurrë bombën atomike”, ka shkruar ajo.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje për ndërmarrjen e hapave për të kontrolluar situatën rreth programit bërthamor të Iranit pas sulmeve ajrore të SHBA-së.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shkruar Kallas në X.

“Iranit nuk duhet t’i lejohet të ndërtojë armë bërthamore, pasi kjo do të përbënte një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”, ka theksuar Kallas.

“Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në një takim të hënën”, tha ajo.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u shpreh i alarmuar në lidhje me ngjarjet në Lindjen e Mesme.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë bërthamore”, ka shkruar Costa në X.

Sipas tij, diplomacia është ende e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe siguri në rajon, ndërsa një përshkallëzim i mëtejshëm do të rezultonte sërish në shumë viktima civile.

“BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me palët dhe partnerët e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore në tryezën e negociatave”, ka thksuar Costa.

The post Sulmi i SHBA-së, BE kërkon zgjidhje diplomatike në konfliktin Iran-Izrael appeared first on Kosovapost.net.