Sulmet kibernetike dhe rasti i KQZ-së – Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Më 9 shkurt, Kosova zhvilloi me sukses Zgjedhjet Parlamentare, me një proces votimi kryesisht të rregullt. Megjithatë, probleme u shfaqën gjatë numërimit të votave, kur platforma e KQZ-së pati probleme teknike, ku u pamundësua publikimi i rezultateve preliminare.

Edhe pse KQZ-ja tha se sistemi u rregullua të hënën, ai sërish ra të martën, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e tij. Kompania CACTTUS, e cila ka zhvilluar platformën, sqaroi se faqja e KQZ-së u përball me trafik të paprecedent dhe sulme të vazhdueshme kibernetike, që mbingarkuan konfigurimin ekzistues të sistemit.

Për ekspertin e sigurisë kibernetike, Blerton Abazi, parandalimi i sulmeve të tilla ndaj infrastrukturës zgjedhore, mund të realizohet përmes kombinimit të teknologjive të avancuara.

“Parandalimi i një sulmi kibernetik ndaj infrastrukturës zgjedhore mund të realizohet duke përfshirë teknologjinë, protokollet e sigurisë dhe edukimin e stafit të përfshirë në proces si dhe monitorimin e vazhdueshëm”, tha ai për Albanian Post.

Në kontekstin e zgjedhjeve, sipas Abazit, sulmet kibernetike zhvillohen zakonisht nga aktorë të jashtëm që kanë për synim në ndikimin e zgjedhjeve.

“Në vendet ku mundësohet votimi elektronik, sistemet zgjedhore kanë një sensitivitet më të madh për arsye të tentimeve për manipulim të votave, ndërhyrje në sistemin e numërimit”, shton ai.

Nuk është hera e parë që Kosova po përballet me sulme kibernetike të një niveli të tillë, gjë të cilën e konfirmon edhe eksperti i sigurisë kibernetike, Blerton Abazi.

“Në Kosovë është vërejtur një rritje e vogël e sulmeve kibernetike në vitet e fundit. Megjithatë një numër i saktë nuk mund të dihet sepse sulmet kibernetike mund të jenë me cak tek institucionet publike apo ato private, ku këto të fundit zakonisht nuk i deklarojnë për arsye të klientëve, reputacionit. Sulmet më të shpeshta që deklarohen janë kryesisht të tipit DDOS, apo siç njihet ndryshe ndalesë apo vonesë në marrjen e shërbimeve”, tha ai për AP.

Sipas Abazit, investimet në fushën e sigurisë kibernetike në Kosovë janë në një nivel të kënaqshëm. Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore mbetet sigurimi i stafit të kualifikuar në këtë sektor.

“Gjendja në Kosovë kryesisht është e mirë, marrë parasysh investimet që janë bërë në këtë sektor por që gjithmonë faktori më problematik është sigurimi i stafit të kualifikuar në këtë fushë. Kjo më shumë ndërlidhet me sektorin publik, meqë sektori privat investimet i ka më të mëdha qoftë në aspektin infrastrukturor qoftë në kapacitetet njerëzore”, shtoi ai.

Në anën tjetër, sipas profesorit në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës (FIEK), Blerim Rexha, qëllimi kryesor i sulmeve kibernetike në përgjithësi “është përfitimi ilegal i informacionit”.

“E rëndësishme mund të jetë edhe përhapja e dezinformatave dhe manipulimi i opinionit. Sipas statistikave botërore Format më të Zakonshme të Sulmeve Kibernetike janë: Phishing, Ransomware, Malware (Viruse, Trojans, Spyware), DDoS,”, tha ai për AP.

Në Kosovë, sipas tij, ka mungesë të dhënave për sulmet kibernetike, si rezultat i mos deklarimit nga institucionet.

“Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna zyrtare, edhe si pasojë e mos deklarimit nga institucionet dhe kompanitë, edhe nga mos mbledhja e tyre nga ARKEP apo organet tjera sipas ligjit. Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova nuk ka bërë progresin e duhur. Kemi ngec në themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe krijimin gjegjësisht freskimin e kornizës ligjore sipas kërkesave të Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.