Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca i ka dënuar sulmet me raketa dhe dronë të kryera nga Republika Islamike e Iranit në Qipro.
Ai i ka cilësuar “të pamatura” sulmet iraniane që shënjestruan bazën ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Arkotiri.
“Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e pamatura me raketa dhe dronë që shënjestruan Qipron dhe partnerë të tjerë në rajon, përfshirë zonën sovrane të bazës së Mbretërisë së Bashkuar në Akrotiri”, tha Konjufca në një postim në platformën “X”.
“Kosova qëndron fort përkrah aleatëve të saj dhe shpreh solidaritet të plotë me Qipron përballë veprimeve që minojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar”, tha ai.
Një dron sulmues iranian goditi të dielën në mesnatë bazën ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Arkotiri, ndërsa dy dronë të tjerë u interceptuan me sukses të hënën në mëngjes.
Droni i parë me objektiv bazën ushtarake britanike në Qipro erdhi pas njoftimit të kryeministrit Keir Starmer se Mbretëria e Bashkuar do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara të përdornin bazat e saj për të kryer sulme ndaj Republikës Islamike të Iranit.










