Shefi i Eulex-it, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga Kryeministri në detyrë, njëherit kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, përkatësisht sulmeve në adresë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe Prokurorisë së shtetit.
Shefi i EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka bërë një reagim pasi Gjykata Kushtetuese, përkatësisht gjyqtarët e saj, janë bërë target i sulmeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Albin Kurtin e Glauk Konjufcën.
Në një postim në rrjetin “X”, shefi i EULEX, ua rikujton se “pavarësia gjyqësore është një nga gurët themelorë të sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë”
Ai shton se “ndërhyrja e panevojshme përmes sulmeve personale që synojnë drejtpërdrejt gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë detyrat e tyre është gjithmonë e papranueshme”.
Gjykata Kushtetuese ka reaguar sot pas akuzave të rënda të Albin Kurtit e Glauk Konjufcës dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së. Deklarimet e të cilëve, Kushtetuesja i ka quajtur të pamatura.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë.”
Ajo ka thënë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
Ndryshe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së.
“Në mes të mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të KP të VV’së, e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së. Meqë tash u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së LS paarsyeshëm besoj dhe unë dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arben Vitia të lëshojë një vendim mjekësor që ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë nëse është më shumë absurd apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore. Por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime”, tha Kurti.
Kurse, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë instanca më e lartë gjyqësore, që është mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.
“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”, tha Konjufca.