Ish-deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka kritikuar ashpër partinë Vakat, e cila, sipas saj, po rrezikon zërin politik të komunitetit.
Ajo ka thënë se kandidatura e Ena Kadës hap sërish debatin e keqpërdorimit të vendeve të rezervuara për komunitetet jo-shumicë.
“Kandidatura e Ena Kadës në listën e partisë boshnjake Vakat hap sërish çështjen e keqpërdorimit serioz të vendeve të rezervuara për komunitetet jo–shumicë, veçanërisht për boshnjakët. Në vend që këto vende të shërbejnë si garanci e përfaqësimit autentik të popullit tonë, disa parti i shndërrojnë ato në hapësirë për tregti politike dhe kalkulime personale”, ka thënë Balje.
Ajo ka thënë se në vitet e fundit ka parë një praktikë të rëndë nga Vakat.
“Prej vitesh po shohim të njëjtën praktikë: Vakat, në vend se të ndërtojë besim brenda komunitetit boshnjak, mandatet e veta i mbështet në vota nga mjediset serbe, shpesh pa asnjë lidhje me boshnjakët. Kjo krijon situata ku vullneti politik i boshnjakëve shtyhet në plan të dytë, ndërsa vendet e rezervuara kthehen në objekt manipulimi, në vend që të mbrojnë identitetin dhe të drejtat tona politike”, ka thënë Balje.
“Sot po e shohim të njëjtin model – kandidatura të personave që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin boshnjak, të vendosur në një listë që formalisht pretendon se përfaqëson boshnjakët. Kjo e minon drejtpërdrejt kuptimin e vendeve të rezervuara dhe krijon një precedent të rrezikshëm, ku qendra të jashtme politike, përmes partive boshnjake, ndikojnë në mandatet që u takojnë popullit tonë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, me këtë veprim, Vakat tregon se është i gatshëm që, për të ruajtur pozitat e veta, t’i vërë sërish në rrezik vendet e rezervuara të boshnjakëve dhe zërin politik të komunitetit, duke hapur rrugë që interesat e të tjerëve të realizohen në kurriz të popullit tonë.
“Komuniteti boshnjak duhet të reagojë qartë dhe vendosmërisht. Kjo nuk është goditje ndaj individëve – kjo është sulm ndaj institucioneve, ndaj të drejtës sonë për përfaqësim legjitim dhe ndaj dinjitetit të boshnjakëve në Kosovë”, ka thënë Balje.











