Sulm ndaj policisë në Deçan e Klinë, policët kërkojnë ndihmë mjekësore, dy të arrestuar

Dy persona janë arrestuar gjatë ditës së hënë, njëri në Deçan e tjetri në Klinë, nën dyshimin se kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas policisë, në Deçan një i dyshuar ka kanosur dhe sulmuar dy zyrtarët policorë në shenjë revolte për shqiptimin e tiketës për kundërvajtje.

Gjatë arrestimit është përdorë sprej ndaj të dyshuarit, ndërsa zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkaq në Klinë, një burrë ka sulmuar zyrtarët policorë, ku gjatë ballafaqimit dhe arrestimit, policët kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor.

Tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë zjarri pistoletë me një karikator me nëntë fishekë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.