Autori bërtiti ‘Palestina e lirë’, ndërsa FBI e cilësoi si “akt terrorist”.
Tetë persona u plagosën të dielën kur një burrë 45-vjeçar bërtiti “Palestina e lirë” dhe hodhi koktej molotov ndaj një turme gjatë një tubimi në mbështetje të pengjeve izraelite ende të mbajtura në Gaza.
Ngjarja ndodhi në Pearl Street Mall, një zonë popullore për këmbësorë pranë Universitetit të Colorados, ku zhvillohej një tubim paqësor i organizuar nga grupi Run for Their Lives, raporton Reuters.
Të plagosurit, të moshës nga 67 deri në 88 vjeç, u dërguan në spital, dhe të paktën njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike. FBI tha se po e heton ngjarjen si akt terrorizmi.
“Bazuar në të dhënat fillestare, është e qartë se kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm dhune”, deklaroi Mark Michalek, agjent special i FBI-së në Denver.
Autori është identifikuar si Mohamed Soliman.
Shefi i policisë së Boulder-it, Stephen Redfearn, theksoi se autoritetet nuk besojnë se ka persona të tjerë të përfshirë. Sipas dëshmitarëve, Soliman ishte i zhveshur nga beli lart dhe mbante një shishe qelqi me lëng, ndërsa bërtiste “Palestina e Lirë” përpara se ta hidhte drejt njerëzve.
Kjo ngjarje ndodh në një kohë tensionesh të rritura për shkak të luftës në Gaza, ku në SHBA ka pasur shtim të incidenteve antisemitike dhe mosdakordësish politike për protestat pro-palestineze dhe mbështetjen ndaj Izraelit.