Ndërsa Kosova përballet me izolim të paprecedentë në arenën ndërkombëtare – me sanksionet e Bashkimit Evropian ende të pahequra dhe me pezullimin e Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara – kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zyrtarë të tjerë ekzekutivë, po shikojnë alternativa që të krijojnë fasadë të progresit të vendit përgjatë katër viteve të fundit. Në përpjekje të dëshpëruar për të paraqitur ‘suksese’ në fusha si ekonomia dhe politika e jashtme, zyrtarët e qeverisë në detyrë po promojnë çfarëdo raporti, pavarësisht kredibilitetit.
Të enjten, Kurti trumbetoi arritje të jashtëzakonshme, duke cituar renditjen e Kosovës në Indeksin e publikuar nga kompania prestigjioze “Henley & Partners”, ku Kosova paraqitej ndër shtetet me klimën më të favorshme dhe më të sigurt për investime.
Ai madje e karakterizoi këtë si provë të pakundërshtueshme se ekonomia e vendit gjendet në një trajektore rritjeje me stabilitet të shtuar.
Në postimin e tij në platformën X, Kurti theksoi me vetëkënaqësi se Kosova ishte siguruar pozitën e 26-të në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, duke u renditur më lart se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe madje edhe mbi disa shtete me ekonomi të konsoliduara të Bashkimit Evropian.
“Kosova renditet e 26-ta në botë sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të Henley & Partners, përpara të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke tejkaluar shumë ekonomi të fuqishme të BE-së. Ky është një dëshmi e rëndësishme e klimës sonë gjithnjë e më të fuqishme ekonomike.” – shkroi Kurti në X.
Por situata ndryshoi brenda pak orësh. Të premten, në të njëjtin indeks, Kosova nuk gjendej më fare në listë. Vetë kompania që publikoi renditjen nuk ka dhënë asnjë sqarim publik lidhur me tërheqjen e emrit të Kosovës nga raporti.
Indeksi i Pasaportave 2025
Mirazh të ngjashëm progresi, të ngjashëm me të Indeksit të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, Kurti dhe kryediplomatja në detyrë Donika Gërvalla tentuan të krijojnë edhe me atë të pasaportës së Kosovës në Henley Passport Index 2025. Kurti dhe Gërvalla publikuan posterë shumëngjyrësh për “suksesin historik”.
Sipas Henley Passport Index 2025, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 65-të, me 81 destinacione pa vizë paraprake. Në realitet, ky “progres” nuk kishte fare lidhje me ndonjë fushatë diplomatike apo reforma të veçanta të ndërmarra gjatë qeverisjes së Kurtit.
Ngritja në rangim në këtë Indeks ndërlidhet ekskluzivisht me vendimin e Bashkimit Evropian për t’ia liberalizuar vizat qytetarëve të Kosovës – proces që kishte filluar shumë kohë më parë dhe që arriti të finalizohej falë përpjekjeve të vazhdueshme institucionale dhe diplomatike të qeverive të mëparshme. Ky vendim i lejoi kosovarëve të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen për 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.
Në postimet e tyre, si në Facebook ashtu edhe në X, Kurti dhe Gërvalla e trumeptojnë si ‘dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë’. Henley Index nuk mat “forcën diplomatike”, as reputacionin ndërkombëtar të një vendi. Ky raport mat vetëm numrin e vendeve që mund të vizitohen pa vizë paraprake, me vizë në mbërritje ose me autorizim elektronik (ETA), një formulë e thatë statistikore, pa asnjë lidhje me performancën e politikës së jashtme.
Indeksi për siguri
Një tjetër rast i përdredhjes së indekseve të tilla ishte ai i performancës së Kosovës në raportin e Gallup “Siguria Globale 2025” – ku vendi renditet i pari në Evropë dhe i treti në botë në Ligji dhe Rend. Kjo u promovua nga Vetëvendosje si “lajm i jashtëzakonshëm”.
Megjithatë, ky vlerësim nuk përbën risi për Kosovën: rezultatet në këtë indeks kanë qenë të larta çdo vit prej të paktën një dekade.
Për më tepër, raporti i Gallup nuk është një renditje e “sundimit të ligjit” dhe as një pasqyrë e plotë e kriminalitetit. Ai mat kryesisht përceptimin e sigurisë dhe përvojat e raportuara nga qytetarët në përditshmëri. Kjo nuk rezulton në lajm aspak befasues pasi Kosova ka shënuar rezultate tejet të larta ndër vite në këtë raport.
Edhe nëse kthehemi në vitin 2017, Kosova ka shënuar 85 pikë në të njëjtin indeks. Më pas, vlerësimi është rritur gradualisht: prej vitit 2022 e tutje, Kosova ka mbajtur rreth 90 pikë, duke kulmuar me rezultatin 94/100 të raportit të fundit.
Pra, edhe rreth një dekadë më parë, Kosova kishte rezultate jashtëzakonisht të larta, vetëm disa pikë më poshtë se rezultati i fundit i vitit 2024-2025.









