Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka reaguar pasi Qeveria e Suedisë njoftoi se do ta rishikojë mënyrën e ndihmës që jep këtij vendi. Në bazë të njoftimit, një pjesë e ndihmës që deri tani shkonte për institucionet shtetërore serbe do të ndërpritet, kurse fondet do të ridrejtohen drejt shoqërisë civile.
MPJ-ja serbe thotë se e mori “me keqardhje” këtë lajm.
“Qëndrime të tilla, nëse janë zyrtare, nuk pasqyrojnë gjendjen reale dhe as frymën e partneritetit që ka ekzistuar ndër vite midis dy vendeve tona”, thuhet në reagim.
Në reagim, thuhet edhe se “Serbia është një shtet sovran që i zbaton reformat e veta në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet europiane, por jo nën presione, kushte apo etiketime politike”.
“Vendi ynë respekton plotësisht të drejtën e çdo shteti për të përcaktuar në mënyrë të pavarur prioritetet e veta, por njëkohësisht pret që vlerësimet për proceset institucionale të bazohen në fakte objektive dhe të verifikueshme. Në periudhën e kaluar është arritur përparim i matshëm në shumë fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, prandaj presim që çdo vlerësim i përpjekjeve reformuese të bazohet në tregues realë, e jo në narrativa politike apo interpretime mediatike”.
Serbia thotë se “mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët që e ndërtojnë marrëdhënien mbi respektin e ndërsjellë dhe barazinë”, por shton se “gjithmonë do të refuzojë me vendosmëri qasjet që nënkuptojnë mësimdhënie, kushtëzim apo përpjekje për ndikim të brendshëm politik”.
“Njëkohësisht, ajo vazhdon rrugën e saj europiane si një shtet që pret respekt dhe që i merr vendimet e veta në mënyrë të pavarur, në interes të qytetarëve të saj dhe të stabilitetit të rajonit”, thuhet në fund të reagimit.



															







