Vetëm pak ditë pas njohjes nga Kenia, vjen edhe një tjetër lajm pozitiv: Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës.
Lajmin e dha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një videoje në rrjetin social Facebook, ku bashkë me ministrin e Jashtëm të këtij shteti, ndanë njoftimin.
“Sudani njeh Republikën e Kosovës!
Urime të gjithë qytetarëve të shtetit tonë!”, deklaroi Osmani.
Kjo është njohja e dytë brenda pak më shumë se dy javë, duke shënuar një kthesë pozitive për diplomacinë kosovare pas një periudhe stagnimi.
Më 26 mars, ish-presidenti Behgjet Pacolli dha lajmin e madh për njohjen nga Kenia.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!” – kishte shkruar Pacolli, transmeton nacionale.
Njohjet nga këto shtet vijnë pas një vakumi pesëvjeçar diplomatik, që nga njohja e fundit nga Izraeli.
Izreali njohu Kosovën menjëherë pasi në Washington ishin nënshkruar marrëveshjet për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat u nënshkruan nga kryeministri Hoti e presidenti Vucic në prani të President amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti është përballur me kritika të ashpra gjatë këtyre katër viteve, për shkak të dështimit për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën.