Stuhi të forta shiu në Kaliforni lënë tre të vdekur

Stuhi me reshje të dendura shiu në pjesë të mëdha të Kalifornisë shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu dhe lanë tre persona të vdekur deri në natën e Krishtlindjeve, thanë zyrtarët lokalë.

Stuhitë – që pritej të vazhdonin deri të premten – sollën deri në 11 inç (27 cm) reshje shiu në disa pjesë të qarkut Los Angeles, detyruan evakuime dhe mbyllën rrugë kryesore.

Shërbimet e emergjencës kanë kryer disa operacione shpëtimi, përfshirë persona të bllokuar në automjete ndërsa niveli i ujërave të përmbytjes rritej. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje emergjence të mërkurën në Los Angeles dhe në qarqe të tjera të Kalifornisë jugore.

Rreth 100 mijë persona në shtet mbetën pa energji elektrike deri të enjten në mbrëmje, raporton bbc.

– YouTube  youtu.be

Qendra Amerikane për Parashikimin e Motit tha të enjten se “janë të mundshme ngjarje të shumta përmbytjesh të menjëhershme. Përveç kësaj, shumë përrenj mund të dalin nga shtrati, duke prekur potencialisht lumenj më të mëdhenj”.

Një burrë 64-vjeçar nga San Diego mbeti i vdekur të mërkurën në mëngjes nga një pemë e rrëzuar, i tha departamenti i policisë mediave amerikane.

Një person tjetër, 74-vjeçar, vdiq nga ujërat e përmbytjes gjatë fundjavës, ndërsa policia përpiqej ta shpëtonte nga brenda një automjeti në Redding, tha kryebashkiaku i qytetit për mediat lokale.

Ndërkohë, të hënën, një grua rreth të 70-ave vdiq pasi “u rrëzua nga një shkëmb shkaku i një valë të madhe dhe u mor nga deti” në Parkun Shtetëror MacKerricher në Qarkun Mendocino, njoftoi zyra e sherifit.

Shpejtësia e erës në Zonën e Gjirit kaloi 100 milje në orë (161 km/orë) në një observator pranë San Jose-s, raportoi San Francisco Chronicle. Në Altadena, pranë Los Angeles-it, përmbytjet shkaktuan një rrëshqitje dheu në një zonë të zhveshur nga bimësia, e cila ishte më pak e aftë të përthithte ujin për shkak të zjarreve që përfshinë lagjen në muajin janar.