Samuel Eto’o, ikona e futbollit afrikan dhe president i Federatës Kamerunase të Futbollit (FECAFOOT), ndodhet në qendër të një skandali të rëndë, që mund ta komprometojë të ardhmen e futbollit kamerunas vetëm pak muaj para Botërorit 2026.
Një grup profesionistësh, i udhëhequr nga avokati ndërkombëtar Emmanuel Nsahlai, ka paraqitur ankesa formale në Komitetin Etik të FIFA-s, në Konfederatën Afrikane të Futbollit (CAF) dhe në Ministrinë e Sportit të Kamerunit, duke e akuzuar Eto’o për “menaxhim të errët”.
Akuzat janë të rënda: korrupsion, përfshirje e mundshme në trukime ndeshjesh të divizionit të dytë kamerunas, mashtrim fiskal në Spanjë prej 4.4 milionë dollarësh, shtypje e opozitës së brendshme, manipulim elektoral dhe konflikt interesi me kompaninë ruse të basteve “1xBet”, si dhe “zhdukja” e 1.5 milionë dollarëve të ardhura nga ndeshjet miqësore.
“Ky nuk është një sulm ndaj Eto’o si futbollist, karriera e tij është e paprekshme. Këtu flitet për shpëtimin e qeverisjes së futbollit kamerunas dhe rikthimin e vlerave të integritetit e ‘fair play’ në drejtimin e futbollit kamerunas”, – deklaroi Nsahlai.
Eto’o, i zgjedhur president në vitin 2021 me premtimin e transparencës, ka qenë edhe më parë në qendër të polemikave. Në vitin 2024, FIFA e pezulloi për sjellje fyese në Botërorin e femrave U-20, ndërsa më herët ishte gjobitur për kontratën me “1xBet”. Pas eliminimit të Kamerunit nga Kupa e Afrikës, ai pati dhënë dorëheqjen, e cila u refuzua nga federata. Tani, presioni ndërkombëtar mund t’i japë fund mandatit të tij para kohe.
The post Stuhi mbi Samuel Eto’o; akuzohet për korrupsion dhe trukime. Në Kamerun kërkojnë pezullimin e tij appeared first on Telesport.