Studentët në këmbë: Thirrje për protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare

Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” kanë bërë thirrje për një protestë gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave çlirimtare, duke theksuar se kjo nismë shkon përtej mbështetjes ndaj një individi të vetëm.

Sipas organizatorëve, protesta nuk lidhet vetëm me emra të përveçëm, por është reagim ndaj një fenomeni shqetësues që, sipas tyre, po instalohet nga qarqe të caktuara. Ata shprehin kundërshtimin e tyre ndaj gjuhës fyese dhe denigruese që, siç thonë, po përdoret ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerëve të saj, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.

Organizatorët theksojnë se kjo protestë synon të rikthejë vëmendjen te vlerat që, sipas tyre, përbëjnë themelin e lirisë së vendit, duke kërkuar respekt institucional dhe shoqëror për kontributin e luftës çlirimtare.

Një ndër kërkesat kryesore të studentëve është që Parlamenti i Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për hartimin dhe miratimin e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, të cilat ata i cilësojnë si ndër më sublimet e kombit.

Ata bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një grupi të caktuar.