Studentët e UP-së paralajmërojnë protestë, kërkojnë afatin e nëntorit për provime në të gjitha fakultetet

Disa studentë të Universitetit të Prishtinës po pretendojnë se po u bëhet pabarazi në vlerësim nga disa njësi akademike.

Sipas tyre, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka mbajtur vlerësimin e studentëve në afatin e nëntorit, por jo edhe fakultetet e tjera. UP ka gjithsej 14 njësi akademike.

Para Rektoratit të UP-së ata shpalosën publikisht kërkesën e tyre për zgjidhje të kësaj pabarazie siç e quajtën, ndërsa treguan se tash e tri javë janë takuar me menaxhment të UP-së dhe kanë diskutuar për këtë çështje. Në rast të moslejimit ata kanë paralajmëruar protesta.

Kurse, menaxhmenti i UP-së e ka mohuar se studentëve po u bëhet pabarazi në rivlerësim dhe se ata do ta bazojnë vlerësimin e studentëve në Rregullore dhe Statut të UP-së.

Drilona Hamiti, kryetare e Parlamentit Studentor të UP-së, tha se aktualisht Universiteti i Prishtinës po funksionon me standard të dyfishtë, pasi në disa njësi akademike u mundësohet studentëve rivlerësimi gjatë afatit të nëntorit, kurse në disa njësi të tjera po u mohohet.

“Dua të theksoj se kjo nuk lidhet me lëndët shumësemestrale, por me të gjitha lëndët, përfshirë edhe ato njësemestrale dhe kjo praktikë po zbatohet në mënyrë të pabarabartë nga fakultete të ndryshme. Kjo situatë krijon një padrejtësi të qartë” – tha Hamiti më 27.11.2025.

Sipas Hamitit, një universitet që nuk garanton kushte të barabarta të vlerësimit cenon cilësinë e tij akademike, besimin e studentëve, motivimin e tyre dhe integritetin e vet institucional.

“Gjatë dy javëve të fundit kemi zhvilluar takime të vazhdueshme me Rektoratin, por fatkeqësisht ende pa rezultat konkret. Të hënën, na pret takimi i radhës, ku ne presim që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të arrijmë një zgjidhje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë studentët e UP-së” – shtoi Drilona Hamiti.

Ajo tha se studentët e UP-së nuk janë spektatorë pasivë, por janë faktorë aktivë.

“Nëse nuk krijohet hapësirë për dialog real, atëherë me shumë keqardhje ju njoftojmë se nga java e ardhshme do të jemi të detyruar të vazhdojmë me format tona demokratike të reagimit, përfshirë edhe protestat” – ka thënë Hamiti.

Drilona Hamiti i ka bërë thirrje Rektoratit të UP-së që së bashku të gjejnë një zgjidhje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë studentët pa dallim fakulteti./KALLXO/