Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës u ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryeministrit dhe disa ministrive, duke kërkuar zgjidhje urgjente për një sërë problemesh që, sipas tyre, po e dëmtojnë seriozisht procesin mësimor dhe të ardhmen profesionale të mjekëve të rinj.
Në letrën drejtuar Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, studentët thonë se kërkesat e tyre janë adresuar prej vitesh, por janë shpërfillur sistematikisht nga institucionet përgjegjëse.
Sipas Këshillit Studentor, situata aktuale në Fakultetin e Mjekësisë është alarmante, duke filluar nga infrastruktura e degraduar, mungesa e literaturës bashkëkohore, deri te trajtimi i padrejtë financiar i studentëve pas diplomimit.
Këshilli Studentor ka paralajmëruar se, nëse kërkesat nuk miratohen dhe nuk fillon zbatimi i tyre brenda një afati të arsyeshëm, do të ndërmarrin veprime të mëtejme, përfshirë bojkotimin e procesit mësimor nga fillimi i semestrit veror, më 15 shkurt.

Një nga kërkesat kryesore është renovimi i Bibliotekës së Fakultetit të Mjekësisë, e cila, sipas studentëve, nuk i plotëson as standardet minimale universitare.
Po ashtu, studentët kërkojnë renovimin e të gjitha hapësirave mësimore, përfshirë amfiteatrot dhe sallat e ligjëratave, pagesën e stazhit gjashtëmujor pas diplomimit, si dhe uljen e kriterit për bursën elitare nga mesatarja 9.0 në 8.5, duke e konsideruar kriterin aktual të padrejtë dhe jorealist.
Në listën e kërkesave përfshihet edhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për Shëndetësi, që kërkon një vit përvojë pune për pranim në specializim.
“Kjo letër nuk përbën vetëm një kërkesë, por një qëndrim të qartë dhe të vendosur në mbrojtje të të drejtave themelore të studentëve dhe të dinjitetit të arsimit mjekësor në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Besfort Racaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në UP, marrjen e kësaj iniciative e ka quajtur të rëndësishme, pasi sipas tij këto të drejta i takojnë studentëve të mjekësisë dhe doktorëve të rinj.
Ai thekson se ky nuk është veprim i nxituar, “por një hap i menduar mirë, për dinjitetin, të drejtat dhe të ardhmen tonë”.
“Ne do të qëndrojmë fuqishëm pas këtyre kërkesave deri në realizimin e tyre. Kërkoj përkrahjen e shoqërisë sime, të kolegëve dhe të gjithë atyre që besojnë se studentët meritojnë të trajtohen me respekt. Bashkarisht për interesa të përbashkëta. Ne jemi vlerë. Zëri ynë ka peshë. Dhe është koha që të dëgjohet”, shkruan ai në llogarinë e tij në Facebook.










