Reperi i njohur, Stresi ka uruar nënën e tij për ditëlindje, duke thënë se kur sheh ndonjë thinjë në flokët e saj, apo rrudhë rreth syve, trishtohet.
Mirëpo, duke iu drejtuar nënës, ai tha se do të mbetet fisnike dhe se është drita që ndriçon shpirtin dhe rrugët e tij.
“Kam zgjedhur këtë foto pranë teje për të të uruar ditëlindjen. Krah teje ndihem i vogël, i qetë e i mbrojtur. Është si një mesazh i sfidave tona, mam… një përgjigje e heshtur që thotë: “Bashkë ia dolëm sërish.” Kam shkruar shpesh për ty; kam thënë e kënduar për ty. Dhe do vazhdoj ta bëj për sa kohë të kem frymë. Vitet e tua nuk janë shumë, por as pak nuk janë”.
“E ndërsa në kalendarin tënd shtohet një shifër, mua më dhemb pak. A i duan vallë të gjithë djemtë nënat e tyre siç të dua unë ty? Apo jam unë i vetmi me bekimin e universit që erdha në jetë nga një grua si ti? Si nuk u lodhe kurrë duke na pritur netëve pa gjumë… Sa forcë e sa dashuri pate për ne. Thonë se emri përcakton fatin, ty të quajtën Shpresë. Dhe ti shpresove për ditë më të mira edhe kur jeta të sfidoi me gjithçka. Qeshe, dhe fali mirësi edhe atyre që ta vështirësuan ditën”.
“Kur shoh ndonjë thinjë apo një rrudhë të vogël rreth syve, trishtohem… por ti mbetesh fisnike, gjithmonë drita që ndriçon shpirtin dhe rrugët e mia. Shpresa ime, të paçim përherë. Gëzofsh ditë të bardha mes nesh. Të dua, mam”, ka shkruar Stresi.











