Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të ditës së sotme për në Champions League. Në “San Mames”, Arsenal fitoi 0-2 ndaj Athletic Bilbao. Për vendasit mungonte ylli i tyre kryesor, Nico Williams, i dëmtuar.
Londinezët e filluan takimin me “artilerinë e rëndë”, por blerjet e bujshme të verës si Gyokeres dhe Eze nuk ishin në ditën e tyre më të mirë.
Goli i Arsenalit do të vinte nga stoli. Gabriel Martinelli i sapo futur në fushë zhbllokoi shifrat në minutën e 72-të, pas asistit që mori nga Leandro Trossard, edhe ky i futur si zëvendësues në pjesën e dytë.
Pas një topi të humbur nga vendasit, nis aksioni i shpejtë i londinezëve. Trossard pason në mënyrë akrobatike për Martinelli-n, braziliani bën vetë gjithçka bukur. Kalon dy mbrojtësit kundërshtarë dhe në fund “shkund” rrjetën.
Në minutën e 87-të, ishte sërish kombinimi Martinelli-Trossard dhe këtë herë ishte radha e belgut për të dërguar topin në rrjetë. Arsenal e nis me fitore këtë sezon të Champions League, rezultati final 0-2.
Në “Philips Stadion”, PSV është mundur 1-3 nga Royale Union SG. Fillimisht kampionët e Belgjikës kaluan në avantazh falë një penalltie të shndërruar në gol nga Promise David në minutën e 9-të, pas një faulli të qartë brenda në zonë.
Në minutën e 38-të, belgët shënuan dolin e dytë me A. Ait El Hadj, i cili pasi rikuperoi një top të humbur nga vendasit në mesin e fushës, e mori i vetëm atë dhe e dërgoi në rrjetë. Në pjesën e dytë, belgët trefishuan shifrat me Kevin Mac Allister në minutën e 80-të. Vëllai i Alexis Mac Allister shënoi pas një topi që mori nga goditja e këndit. Holandezët shënuan golin e nderit në fund të kohës së rregullt me Ruben van Bommel.
The post Stoli i jep fitoren Arsenalit ndaj Athletic Bilbao-s, PSV turpërohet në shtëpi nga kampionët e Belgjikës (video) appeared first on Telesport.