Stojkovic: Pres ndeshje me intensitet të lartë, Shqipëria ka kombëtare të shkëlqyer

Situata është tillë, që e bën ndeshjen Serbi-Shqipëri vendimtare për kualifikim në Botërorin 2026. Ose më mirë të themi, për vendin e dytë në grup, si mundësi shtesë kualifikimi përmes “play off”-it. Shqipëria mban vendin e dytë aktualisht, me 8 pikë, pas 5 ndeshjesh, ndërsa Serbia është e treta me 7 pikë, por ka luajtur vetëm 4 ndeshje. Përplasja direkte e Leskovacit, më 11 tetor, duket se vulos fatin e vendit të dytë. Trajneri Dragan Stojkovic e pranoi se bëhet fjalë për një “finale” të vërtetë në konferencën e sotme për shtyp:

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne, veçanërisht ajo me Shqipërinë. Nuk po mendoj fare për Andorrën, vetëm për Shqipërinë. Nuk ka kuptim të kthehemi në të kaluarën, duhet të mendojmë për të ardhmen. Kjo ndeshje kundër Shqipërisë është luftë e drejtpërdrejtë për të shkuar në Botëror. Mendoj se kemi forcë dhe cilësi të mjaftueshme për të shkuar më tej. Do të doja t’u bëja thirrje tifozëve që të sillen korrekt në tribuna. Kjo është me shumë rëndësi, nuk dua që të ndëshkohemi. Kombëtarja kërkon vetëm një gjë, dhe kjo është mbështetje. Ne duam të jemi të përqendruar vetëm në fushë.

Shqipëria është një ekip i shkëlqyer dhe me cilësi shumë të lartë. Ata janë rivalët tanë më të mëdhenj në grup. Nuk mund të luash me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë çdo ditë. Kjo është ndeshja dhe kundërshtari më i rëndësishëm për mua në këtë moment. Ne kërkojmë fitoren dhe nuk dua të mendoj për humbjen. Nuk e di se si do të luajnë ata, por e di se si duhet të luajmë ne. Pres një ndeshje me intensitet të lartë”.

 

The post Stojkovic: Pres ndeshje me intensitet të lartë, Shqipëria ka kombëtare të shkëlqyer appeared first on Telesport.