Në një periudhë ku tensionet dhe komentet e ashpra ndaj Kupës së Botës për Klube, që po zhvillohet në SHBA, nuk mungojnë, Hristo Stoichkov, një nga legjendat e futbollit botëror dhe fitues i “Topit të Artë”, ka dalë me një deklaratë thumbuese ndaj trajnerit të Chelsea, Enzo Maresca. Kjo ndodh pas polemikave të këtij të fundit, lidhur me kushtet atmosferike në Botërorin për Klube 2025.
Trajneri italian i Chelsea, pas ndeshjeve të zhvilluara në kushte të vështira shiu, kishte komentuar ashpër organizimin dhe ndikimin e motit në performancën e skuadrës së tij. Maresca, i irrituar, e cilësoi shiun si një nga faktorët që e pengoi ekipin e tij të tregonte potencialin e vërtetë.
Por Stoichkov nuk e la pa përgjigje këtë lloj justifikimi. I ftuar në një emision sportiv në Spanjë, ai u shpreh me ironinë që e karakterizon: “Maresca u ankua për shiun në Botërorin për Klube…, po çfarë duhet të bëjmë? T’i japim Infantino-s (presidentit të FIFA-s) një telekomandë që të ndalojë shiun? Ata po ankohen për çdo gjë këto ditë”.
Deklarata e Stoichkov ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka marrë shumë mbështetje nga opinionistët e tifozët, të cilët e kanë konsideruar një reagim të drejtë ndaj tendencës së disa trajnerëve për të kërkuar justifikime të jashtme për dështimet sportive.
Kjo nuk është hera e parë që ish-sulmuesi legjendar i Barcelonës dhe i kombëtares bullgare shquhet për gjuhën e drejtpërdrejtë dhe komentet “pa dorashka”. Stoichkov gjithmonë ka theksuar se futbolli luhet në çdo kusht dhe se justifikimet nuk i shkojnë për shtat klubeve të mëdha si Chelsea, që kanë përgjegjësi ndaj tifozëve për të dhënë maksimumin, pavarësisht rrethanave.
Në fund, kjo deklaratë rikthen edhe njëherë në vëmendje debatin klasik: A është e pranueshme të fshihesh pas motit kur gjërat nuk shkojnë mirë, apo fushat e blerta kërkojnë më shumë guxim e më pak justifikime.


The post Stoichkov “thumbon” Maresca: Ankohet për motin? T’i japim Infantinos një telekomandë ta ndalojë shiun… appeared first on Telesport.