Blerand Stavileci, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sonte në Klan Kosova se frika e partive rivale nga PDK-ja, si fituese serike e shtatë palë zgjedhjeve, i ka bërë ata që të ngarendin në vardisje ndaj njëra-tjetren për koalicione parazgjedhore.
Po ashtu, ai tha se vijat e kuqe tashmë janë bërë një refren bajat, kur dihet se pas zgjedhjeve ato shndërrohen në vija të gjelbra.
“Të gjithë e dinë se pavarësisht cfarë deklarojnë partitë e tjera, ne kemi qenë para tyre edhe në mobilizim edhe në agjendë. PDK dhe Kadri Veseli kanë vënë një standard të ri etik. Gjendja reale në terren flet në favor të Partisë Demokratike të Kosovës”, theksoi Stavileci.
Ai tha se PDK del e para në vazhdimësi, ndërsa të tjerët duke dashur ta kompensojnë terrenin, shkojnë nëpër debate dhe flasin për sondazhe.
“PDK ka strukturën më të organizuar dhe mobilizuar. Ajo e bën diferencën krahasuar me partitë e tjera. Por ne kemi një preokupim, i cili është i të gjithë qytetarëve: lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit. E kemi marrë bajrakun, fillimisht për ta pranuar si sfidë dhe së dyti, për ta luftuar atë. Seriozitetin e kësaj ndërmarrjeje e konfirmojnë veprimet konkrete të kryetarit Veseli në raste të tjera, sic është lirimi i pronave të uzurpuara më 2016, iniciativa për pastrimin e listave të veteranëve dhe lirimi nga detyra i njerëzve me aktakuza. Pra, të gjitha këto në një kohë kur as nuk flitej për zgjedhje”, theksoi Stavileci.