Standardet e Belgjikës: Kosovës i kërkon burgje me qira, Gjykatës Speciale ia lëshon burgjet për të dënuarit

Belgjika kohëve të fundit ka rritur interesimin që të shfrytëzojë burgje në Kosovë, për të dënuar të ndryshëm.

Kjo bëri që edhe ministrja belge për drejtësi por edhe ajo për azil, ta vizitojnë Kosovën. Interesimin për një marrëveshje për burgje e konfirmoi edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Burgjet e mbipopulluara janë problem në Belgjikë. Për këtë arsye, gjatë verës në këtë vend perëndimor hyri në fuqi një ligj i ri. Sipas tij, gjatë shqyrtimit të vendimeve gjyqësore duhet të jepet një arsyetim i saktë pse një dënim me burg është me të vërtetë i nevojshëm. Aktualisht mungojnë rreth 2.000 vende burgimi.

Megjithatë, kërkesa e Belgjikës, është në kundërshtim të plotë me një marrëveshje që po ky shtet e kishte bërë me Gjykatën Speciale.

Brukseli zyrtar arriti marrëveshje me Specialen që ish-pjesëtarët e UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale, ta vuajnë dënimin në burgjet e Belgjikës.

Pra, në njërën anë kërkojnë në Kosovë vend për të dënuarit e huaj, kurse Speciales ia lejojnë që ish-pjesëtarët e UÇK-së ta vuajnë dënimin në Belgjikë.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet”, ka thënë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërkaq shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës ka deklaruar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje po shprehet mbështetja e Belgjikës ndaj Gjykatës Speciale dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Ministrisë së Drejtësisë së Belgjikës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ushtruesi i detyrës të ministrit të Drejtësisë në Kosovë, Blerim Sallahu, është takuar me ministret belge, me të cilat tha se diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve me integritet të lartë profesional.

“Në takim u zotuam për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndihmë juridike në çështjet penale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe diskutuam çështje të tjera me interes për të dy vendet. Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës”, tha Sallahu përmes një postimi në Facebook.

Kosova veçse ka një marrëveshje për dhënien me qira të qelive me Danimarkën. Të burgosurit e parë nga ky shtet do të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prill të vitit 2027.

Marrëveshja dhjetëvjeçare parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez. Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro. Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.