Stadiumi i Gjilanit do të ndërtohet nga “MB Group”: OSHP refuzon ankesat e operatorëve tjerë

Pas ankesave të bëra duke e kontestuar fituesin, Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) e ka lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila kishte rekomanduar për kontratë fituesin e tenderit për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, shkruan Demokracia.com.

Më 2 shtator 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpalli një tender me vlerë 15 milionë euro, të barabartë me vlerën e tenderit të dështuar të Komunës së Gjilanit. Titulli i tenderit ishte: “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm për rregullimin hapësinor, arkitekturën dhe inxhinierinë, për rindërtimin dhe përshtatjen e Stadiumit në Gjilan, në përputhje me Kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturën e stadiumeve, të miratuara nga UEFA”.

Fituesi i tenderit në mars 2025 ishte shpallur kompania “MB Group” sh.p.k. me ofertën e saj në vlerë prej 12,783,110.01 euro. Dy kompani garuese e kanë kontestuar vendimin e ministrisë, duke konsideruar se kompania fituese nuk i përmbushte kriteret që vetë MKRS-ja i kishte vendosur në dosjen e tenderit. Madje, pakënaqësitë më të mëdha kishin të bënin me faktin se atyre nuk u ishte lejuar qasje e plotë në të gjitha dokumentet e ofertës së kompanisë fituese, për të parë nëse ajo i kishte përmbushur kriteret.

Ankesat e tyre u hodhën poshtë nga ministria, ndërsa më pas ato u drejtuan në OSHP. Ky institucion ka nxjerrë vendim përfundimtar, duke e lënë në fuqi vendimin e ministrisë për dhënien e kontratës, duke i hapur kështu rrugë nënshkrimit të saj, pas disa muajsh zvarritjeje. Kompanitë nuk kanë më të drejtë ankese, por mund ta atakojnë këtë vendim në Gjykatën Komerciale, nëse mendojnë se OSHP ka favorizuar ministrinë lidhur me këtë vendim.

Pavarësisht nëse operatori ka qenë ose jo i përgjegjshëm, ajo që bie në sy është dallimi i madh në çmim me tenderin e Komunës së Gjilanit, të cilin e kishte iniciuar Alban Hyseni. Ai pretendonte të lidhte një kontratë për stadiumin në vlerë prej rreth 15 milionë euro, pra mbi 2 milionë euro më shtrenjtë se kontrata aktuale, ndonëse paramasa e tenderit është e njëjtë.

Fituesi i tenderit në muajin mars ishte shpallur kompania “MB Group” sh.p.k.

Kompania “Rafi II” ishte ankuar se eleminimi i tyre në disa pika të ofertës së tyre ka qenë i pa drejtë, por ka shprehur ankesa që nuk u është lejuar qasje e plotë, sipas ligjit, në ofertën e kompanisë fituese, duke e hedhur në dyshim se ajo nuk ka përmbushur kriteret për të qenë fituese.

“Ne me datën 14.03.2025 kemi kërkuar qasje në dokumentet e OE të rekomanduar për kontratë, ndërsa na është mundësuar të shkojmë në qasje me datën 17.03.2025, por qasja nuk na është lejuar e plotë për shkak se OE i rekomanduar për kontratë ka plotësuar aneksin 3 për sekret afarist. Operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë, ka plotësuar aneksin 3 për sekret afarist, mirëpo në asnjë mënyrë nuk është arsyetuar kërkesën për sekret afarist por vetëm ka cekur se dokumentet e nenit 68 dhe 69 nuk janë pronë publike. Sipas nenit 11 paragrafi 3 të LPP-së, kërkesa duhet të arsyetohet dhe të parashtrohen arsye konkrete, që bindshëm demonstrojnë, sipas gjykimit të arsyeshëm të autoritetit kontraktues, se qasja publike në elementin e tillë do të rezultonte në dëmtimin material të interesave legjitime komerciale të grupit të operatorëve ekonomik. OE i rekomanduar për kontratë, nuk ka dhënë asnjë dëshmi apo arsye se qasja në dokumente do ti dëmtonte interesat materiale dhe komerciale të tij, prandaj kjo deklaratë e tij nuk mund të merret parasysh sepse nuk është konform kërkesave ligjore. Ju sqarojmë se autoriteti kontraktues duhet të klasifikojë si sekret afarist informatat dhe dokumentet nëse janë përmbushur tri kriteret e përmendura në nenin 11.3 të LPP-së”, ka shkruar kompania ankuese në ankesën për OSHP-në.

Duke mos pasur qasje në dokumente, ata kanë hedhur dyshime se kompania fituese nuk posedon shumë prej kritereve të kërkuara, si vërtetimet e ATK-së për të gjitha obligimet, referencat për punët e kryera, para të gatshme në bankë të kërkuara sipas ligjit, etj.

Ankesën e njëjtë e ka pasur edhe Grupi i Operatorëve Ekonomik Pepa Group; CONEX L.L.C.; Agri Construction sh.p.k:

“Kompania fituese nuk plotëson kriterin për referenca mbi 15,000,000.00 Euro pasi qe te njëjtit bazuar në Dokumentacionin e bashkangjitur kane paraqitur listën (sipas aneksit 1) në vlere financiare 19309660.04 Euro, mirëpo qe projekti në vlere financiare 3921776.29 dhe projekti në vlerë financiare 886859.75 Euro janë realizuar ose kane pranim në tetor 2024 ndërsa procedura është hapur me date 29.08.2024 dy muaj para këtij pranimi. Dihet se përmes LPP dhe Rregullore (Referencat kane te bëjnë me datën para publikimit te Njoftimit për Kontratë). Shtoja kësaj GOE nuk e arrijnë 60% e vlerës se Liderit pasi qe 60% e vlerës 15 milionë është 9 milionë eu ndërsa kompania ka vetëm 8.98 milionë Euro”, thuhet në pikën e parë ankimore të tyre.

Edhe ky grup ka shkruar se ka kërkuar qasje në ofertën e OE të rekomanduar për kontratë, ndërsa qasja i është lejuar shumë e kufizuar pasi sipas tyre asnjë dokument me rëndësi nuk u është dhënë. “Plotësimi i aneksit 3 të dosjes së tenderit nga ana e OE të rekomanduar për kontratë është keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga ana e autoritetit kontraktues sepse nuk mund të pranohet që tërë dokumentacioni të mbetet dhe pranohet sekret afarist. Veprimet e autoritetit kontraktues përbëjnë shkelje ligjore të nenit 10 dhe 11 të LPP-së. Për tu konsideruar sekret afarist një dokument duhet të arsyetohet se si mund ta dëmtojë kompaninë”. Po ashtu, kompania ka kërkuar që të shihe nga OSHP një varg dokumentesh që nuk u është lejuar qasje nëse operatori i posedon.

Rezultati ishte bërë publik në E-prokurim.

Demokracia.com kishte raportuar se, MKRS ka shkelur ligjin, duke mos nxjerrë vendimin me kohë për vlerësimin e ofertave. Më 2 dhjetor 2024, ministria hapi ofertat ku rezultuan 10 kompani në garë. Pas hapjes së ofertave, ministria e udhëhequr nga Hajrulla Çeku kishte obligim ligjor që brenda 30 ditësh të nxirrte vendimin.

Ligji i Prokurimit Publik përcaktonte qartë afatet e vlerësimit të ofertave:

“Procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve nga komisioni vlerësues, dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin nga AK, duhet të kryhet brenda periudhës më të shkurtër të mundshme dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh”, thuhet në RREGULLOREN Nr. 001/2022 PËR PROKURIMIN PUBLIK.

Skandali i procedurës së mëparshme

Ky aktivitet i prokurimit ishte iniciuar nga Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Alban Hyseni. Sidoqoftë, OSHP ka vendosur përfundimisht të anulojë këtë procedurë për shkak të shkeljeve të konstatuara. “Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e OE N.N.P ‘Euro Construction’ e datës 18.06.2024 lidhur me aktivitetin ‘Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit’. Anulohet aktiviteti i prokurimit. Në afat prej 10 ditësh, AK duhet ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, përndryshe OSHP mund të marrë masa ndaj AK-së”, thuhet në vendim.

Paneli i OSHP-së kishte vendosur të miratojë gjetjet e ekspertit të tyre.

“Në bazë të pretendimeve ankimore, shkresave të lëndës, dosjes së tenderit dhe raportit të vlerësimit nga komisioni, eksperti rekomandon anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe ritenderimin nëse Komuna e Gjilanit ka interes të ritenderojë. Rekomandojmë që kriteret e përzgjedhjes gjatë ritenderimit të jenë më të qarta dhe Autoriteti kontraktues të vlerësojë vetëm mbi këto kritere”, thuhet në raportin e ekspertit, përcjell Demokracia.com.

Për kontratën, grupi i kompanive “Demiri Gartenbau”, “El Bau” shpk, “Bujar Shabani Bi”, “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M” shpk kishte paraqitur një ofertë prej 14,997,804.00 euro. Ndërsa, grupi i kompanive NNP “Euro Construction”, “Beni Construction”, “2T”, “2A Group” dhe “Domid” kishte parashtruar ofertën më të ulët prej 13,274,752.02 euro.

Demokracia.com kishte raportuar se pronari dhe menaxheri i kompanisë “Demiri Gartenbau” është Qëndrim Demiri, ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri, është mbesa e tij. Kompania “El Bau” shpk, e cila merr shumicën e tenderëve në Komunën e Gjilanit, ka pronarë Suad dhe Fatlum Pirevën, të cilët janë nipër të pronarit të kompanisë “Demiri Gartenbau” dhe Drejtoreshës së Arsimit.

Pas hapjes së ofertave nga MKRS, shihet se kompanitë që ishin shpallur fituese nga Komuna e Gjilanit nuk kanë konkurruar. /Demokracia.com/