Stacionet pa orare të autobusëve

Mungesa e orareve në pritoret e autobusëve,po ua vështirëson qytetarëve përdorimin e trafikut urban në kryeqytet. Nga komuna thonë se janë duke e krijuar një rrjet të ri gjithpërfshirës të linjave të autobusëve.

Remzi Demolli është përdorues i rregullt i trafikut urban në Prishtinë.

Në mungesë të orareve në pritoret e autobusëve, Demollit me raste i bie ta presë gjatë linjën 7A.

“Kish qenë mirë ato me qenë përsëri, pse jo. Është i njoftuar pasagjeri më saktësisht. Unë jam dal tash po e pres 7a por unë nuk e di saktë në sa do të vijë. Vetëm pres do të vijë tash.. Se këtu nuk shof kurgjo që ka ndonjë orare të renditjes”, thotë Remzi Demolli – qytetar

Oraret mungojnë në të gjitha pritoret e trafikut urban në kryeqytet.

E vendosjen e tyre, do ta mirëpriste edhe qytetari tjetër, Xhelil Rama.

“Me siguri me qenë oraret, ma merr mendja ndodhsha gabim e kam por më mirë me qenë edhe orari i caktuar në sa vjen me ditë me dal, se kështu orare nuk kanë veç autobusë ka boll”, shprehet qytetari Rama.

E prishtinasi Fahredin Halimi, ka një problem tjetër.

“Është mirë edhe ajo por me pas më shpesh, se tani janë shtuar udhëtarët edhe veturat largohen nga qytetit me pas autobus më shpesh”, thotë ai.

Mungesa e orareve në stacionet e trafikut urban, është një kritikë e vazhdueshme e opozitës në kryeqytet.

“Qytetarët kanë nevojë që të njoftohen me oraret e autobusëve edhe ka qenë shumë mirë e në rregull që nëpër çdo stacion oraret e autobusëve tani i kanë heq, nuk e di për çfarë arsye. Por mundet me ndodhë që kanë dhënë kompani private për reklama të ndryshme, por normal se duhet të gjendet edhe një vend aty besoj që ka të mjaftueshëm që të vendosen oraret e autobusëve për shkak se do ta lehtësonte banorëve qytetarëve të dijë saktë kohën e pritjes së autobusëve”, thotë Besart Krasniqi, asmblesit nga Vetëvendojse.

Për këto kritika, nga Komuna e Prishtinë kanë një arsyetim.Luftar Braha, këshilltar për digjitalizim i kryetarit Përparim Rama, thotë se po punojnë në krijimin e një rrjeti të ri gjithpërfshirës të linjave të autobusëve.

“Jemi duke punuar shumë në krijimin e rrjetit të ri, hartimin e rrjetit të ri të transportit publik, një rrjet i cili është gjithëpërfshirës, i cili do të përfshijë edhe zonat rurale që nuk kanë qenë të përfshira deri më tani. Do të përfshijë edhe lagje të qytetit, segmente duke u ofrua mundësi shërbimit në bazë të demografisë, ose moshave të njerëzve që jetojnë nëpër lagje.  Po punohet dhe këto të gjitha do të shfaqen në pritore, jemi duke punuar në dizajnët e hartave, në dizajnët e orareve”, thotë ai.

Në mungesë të orareve në pritore, Braha thotë se aplikacioni për telefon “Trafiku Urban”, është një zgjidhje e lehtë dhe e qartë për qytetarët.