Stabiliteti i rajonit, Komandanti i KFOR-it në Beograd, takon shefin e forcave serbe dhe ambasadorët e QUNIT-it

KFOR ka njoftuar se komandanti Enrico Barduani ka qëndruar sot në Beograd ku është takuar me Komandantin e forcave serbe, Milan Mojsilovic, takim që ka ardhur pas atij të fundit të mbajtur në tetor 2024.

Barduani ka thënë se KFOR ka një bashkëpunim të gjatë me forcat e armatosura serbe dhe se si komandant qëndron i përkushtuar plotësisht për të vazhduar bashkëpunimin, dialogun dhe për të ndarë informacione për përfitime të përbashkëta, meqë këto janë çelësi për stabilitetin e rajonit.

“Ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Forcat e Armatosura Serbe dhe unë jam plotësisht i përkushtuar për të ndërtuar mbi këtë gjatë gjithë pjesës tjetër të mandatit tim; bashkëpunim të vazhdueshëm, dialogu dhe shkëmbimi i informacionit janë të dobishme për të dyja palët dhe janë çelësi i stabilitetit rajonal”, theksoi Komandanti i KFOR-it.

Ai gjithashtu ka takuar edhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve të QUINT-it, ambasadorin e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe shefin e Zyrës së BE-së.

“Ai i informoi ata mbi aktivitetet e KFOR-it dhe mbi bashkëpunimin e vendosur të misionit me Komunitetin Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe mbështetjen e palëkundur për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR thotë se këto takime ishin pjesë e ndërveprimeve të rregullta të Komandantit të KFOR-it me homologët e tij kryesorë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.