“S’pranoi kompromis për Kosovën”, Christopher Hill tregon bisedimet me Millosheviqin

Diplomati amerikan Christopher Hill, ka folur në lidhje me rolin e tij dhe bisedimet me Sllobodan Millosheviç gjatë krizës në Kosovë.

Hill pasqyroi sfidat e negociatave dhe vendimet strategjike të asaj periudhe të tensionuar ndërsa kujton se Millosheviç ishte një negociator kompleks, i paparashikueshëm, shpesh cinik dhe i gatshëm për kompromis vetëm në Bosnje, por kurrë për Kosovën, në një intervistë në “Euronews Albania”.

“Na ndihmoi në Bosnje, por s’pranoi kurrë kompromis për Kosovën – nuk ishte partner i besueshëm. Ndonjëherë nuk ke shumë zgjedhje; nuk janë zgjedhjet ideale, por janë ato që ke. Kam punuar fort për zgjidhje politike pas Rambujesë. Nuk e arrita gjithmonë, por bëra më të mirën time. Përdorimi i forcës hap probleme të tjera, dhe unë fajësoj Millosheviçin sepse ai nuk donte të punonte me ne, por askush nuk duhet të jetë i lumtur për përdorimin e forcës.”, tha Hill.

Kjo, sipas Hill, solli situatën në një pikë shumë të rrezikshme dhe vështërsinë e diplomacisë ndërkombëtare në gjetjen e një zgjidhjeje pa përdorur forcën.

“Ai ka vdekur tashmë, pra është më lehtë që të flasësh për liderë që nuk janë më mes nesh. Unë mendoj se ai ishte i gatshëm që të gjendej një zgjidhje në Bosnje dhe në fakt na ndihmoi për çështjen e Bosnjes. Nuk ishte i gatshëm për Kosovën, nuk ishte fare i gatshëm për Kosovën që të gjenim një zgjidhje dhe prandaj përfunduam në një situatë të rrezikshme në Kosovë e cila mund të përkeqësohej edhe më tej. Kur ai thoshte se do t’i bënte gjërat, përgjithësisht i bënte, por ti asnjëherë nuk ndjeje se kishe një partner. Mendoj se ne kemi bërë mjaft progres me Serbinë, por ata kanë probleme të mëdha energjetike sepse varen nga Rusia, e cila përdor energjinë si armë. Është e rëndësishme të ndihmojmë Serbinë të largohet nga ky kërcënim. Kam punuar shumë edhe mbi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Ukrainës, por ka dhe çështje ku duhet të vijojmë punën” u shpreh Hill.

Rrëfehet ambasadori Christopher Hill: Pse vendosa të dëshmoj për Thaçin në Hagë