Spiropali takon Kallas: Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, investim strategjik për të ardhmen

Elisa Spiropali, ministre e Punëve të Jashtme në Shqipëri është takuar me Zëvendës Presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.

Ajo ka shkruar në Facebook se ndër tjerash ka folur me të për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, dhe partner i besueshëm e proaktiv i BE-së.

Ajo ka thënë se integrimi i i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin europian.

“Me shumë kënaqësi u takova sot me Zëvendës Presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së, tërësisht i linjëzuar me politikat e Unionit, përfshirë në mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën. 🇦🇱🇪🇺 E falenderova Kryediplomaten Europiane për mbështetjen financiare që Unioni vijon t’i japë Shqipërisë, përfshirë edhe sigurinë e mbrojtjen. Theksova bindjen e plotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin europian”, ka shkruar ajo në Facebook.