Spiropali pas vizitës në Hagë: Presidentin Thaçi e gjeta në gjendje të mirë – lufta për liri s’mund të njolloset

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë. Në një prononcim, ajo thotë se Thaçin e gjeti në gjendje të mirë, dhe duke ndjekur zhvillimet në Kosovë e Shqipëri.

 

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është deklaruar pas vizitës së saj në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku takoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Spiropali tha se Presidentin Thaçi e gjeti “në gjendje të mirë” dhe se ai ndiqte me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, me dëshirën e shprehur për t’i parë të dy vendet sa më mirë.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë takova Presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova përshëndetjet e mia, por edhe të Qeverisë shqiptare dhe, besoj, të gjithë popullit shqiptar. Edhe të tre luftëtarëve të tjerë – Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Më vjen mirë që e gjeta Presidentin Thaçi në gjendje të mirë; ai ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë.” – deklaroi zonja Spiroplai.

Ajo tha më tej se përcolli gjithashtu mbështetjen e Ministrisë së Jashtme dhe të Kryeministrit Rama për një proces që, siç tha ajo, duhet të çojë në “drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike.”

“I shpreha mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Rama, për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund prodhoi drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike.” – shtoi ministrja.

Ministrja kërkoi që vendimi i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar Dhomat e Specializuara dhe Gjykatën Speciale të respektohet në frymën e tij origjinale dhe të mos kthehet “në të kundërtën e vet.”

“Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar Dhomat e Specializuara dhe Gjykatën Speciale të mos kthehet në të kundërtën e vet, por të respektojë procesin e rregullt ligjor, të drejtat e njeriut dhe, mbi të gjitha, ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në tërësi kanë ndaj drejtësisë ndërkombëtare të mund të jetë i përligjur deri në fund. Është me rëndësi të madhe të riktheksohet se populli i Kosovës, djemtë dhe vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend dhe kurrsesi për të agresuar apo për të sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset, kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përballet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia dhe sakrificat e një populli të tërë të mos shkelën me këmbë.” – tha ajo.