Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është hedhur poshtë një ankesë e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut për mangësi në aktakuzën në çështjen kundër administrimit të drejtësisë në të cilën bashkë të akuzuar kanë Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.
Përmes konferencës javore, të enjten, zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, tha se vendimi është marrë më 24 qershor 2025, ku është konstatuar se aktakuza përmban hollësi të mjaftueshme në lidhje me akuzat për tentimin e pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përveç kësaj, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se kontakti që pretendohet se ka ndodhur mes Thaçit dhe vizitorëve të tij është mjaftueshëm i qartë në aktakuzë dhe bazohet nga materialet e nxjerra nga vizitat në të cilat pretendohet se i dha udhëzimet i akuzuari.
Gjithashtu, u tha se edhe për Fazliun është e qartë aktakuza sa i përket veprimeve të tij të pretenduara në lidhje me dëshmitarin 1.
Doyle tha se gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se vërtetimi i fajësisë në lidhje me akuzat do të shqyrtohet gjatë gjykimit.
Po ashtu, zëdhënësi Doyle tregoi se në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së është hedhur poshtë një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për të apeluar një vendim të gjyqtarëve, me të cilin ishin pranuar në prova materiale disa dokumente që pretendohet se janë nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Tek çështja për administrim të drejtësisë, është rrëzuar edhe një mocion i Thaçit ku ishte kundërshtuar juridiksionin e gjykatës.
“Gjykatësja e procedurës paraprake hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e z. Thaçi se ajo nuk duhej të ishte caktuar edhe si gjykatëse e vetme gjatë hetimit të Prokurorisë, edhe më pas, si gjykatëse e procedurës paraprake.
Në arsyetimin e saj, gjykatësja theksoi se nuk ishte paraqitur asnjë argument i bazuar se si mund të ndikonte kjo në paanshmërinë e saj dhe se shqetësime të këtij lloji duhej të ishin ngritur nëpërmjet një procedure tjetër”, tha Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
The post Specialja jep detaje për hudhjen e ankesës së Thaçit dhe Fazliut për mangësi në aktakuzën kundër administrimit të drejtësisë appeared first on Kosovapost.net.