Zyra e Prokurorit të Specializuar i pati deri 122 dëshmitarë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, prej tyre disa ishin në sallat e Hagës e disa veç në ekranin e gjykatores.
Ndërkaq, 101 të tjerëve, ZPS-ja dëshminë ua dorëzoi vetëm si të shkruar.
Mirëpo në mesin e gjithë këtyre dëshmitarëve që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka përdorur për ta mbështetur aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit nuk janë edhe 2 persona, të cilët mbrojtja e Thaçit i deshi me patjetër në sallë.
Këtë javë, gjykata e refuzoi kërkesën e 5 muajve më parë për ta detyruar Prokurorinë t’i thërras dy dëshmitarë të cilët kishte propozuar t’i heqë krejtësisht nga lista. Sipas tyre, këta dy persona do ta zbardhnin mospërfshirjen direkte të Thaçit në krime lufte.