Specialja dërgon ftesën e dytë për Remzi Shalën e arratisur

Katër muaj në arrati nuk i mjaftuan Remzi Shalës i njohur si komandant “Molla e Kuqe” të ndërroi mendje për t’iu përgjigjur ftesës që i erdhi nga Specialja.

Më 12 dhjetor 2018, Shala ishte larguar nga shtëpia e tij për ta lënë më pas Kosovën me pretendimin për të mos iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale, shkruan lajmi.net.

E rreth dy javë më parë, për Remzi Shalën ka ardhur një ftesë e re për t’u paraqitur për intervistim në Hagë.

Këtë e kanë treguar ekskluzivisht për lajmi.net të afërmit e “Mollës së Kuqe”, të cilët po ashtu kanë thënë se Shala nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet as thirrjes së dytë.

“I kemi kërkuar të paraqitet mirëpo ai nuk ka ndërruar mendje. Para rreth dy javësh ka ardhur edhe një ftesë nga Prokuroria e Specializuar, mirëpo ai prapë se prapë nuk do të paraqitet”, kanë thënë të afërmit e Remzi Shalës për lajmi.net.

Ndonëse nuk i dihet vendndodhja, për Remzi Shalën është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Gjykata e Prizrenit, pasi që i njëjti kishte munguar në seancën e 9 janarit lidhur me gjykimin për vrasjen e Haxhi Përteshit në vitin 1998.

Për këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar edhe me avokatin e Remziut, Natal Bullakaj.

Bullakaj thotë se deri më tani nuk dihet asgjë për fatin e Remzi Shalës, apo për vendndodhjen e tij.

Teksa ka thënë se i njëjti nuk ka komunikuar as me familjarë.

“Para tre ditësh jam takuar me xhaxhain e Remziut. Ai nuk është në dijeni dhe nuk kanë asnjë informacion për vendin se ku është. Madje ai ka thënë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me të”, ka thënë Bullakaj për lajmi.net.

E në lidhje me rastin e arratisjes së Shalës, në një përgjigje për lajmi.net nga Dhomat e Specializuara të prokurorisë, ishte thënë se do të ketë pasoja për ata që i ikin drejtësisë.

Në Kosovë deri më tani ka ardhur një numër i madh i ftesave nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Ndër personat e ftuar, ka edhe figura të profilit të lartë të luftës së UÇK-së, përfshirë Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën e Sylejman Selimin.