Spanja shpall masa të forta kundër Izraelit: Sánchez premton t’i japë fund “gjenocidit në Gaza”

Sánchez deklaroi se këto vendime synojnë të ushtrojnë presion diplomatik dhe ekonomik ndaj qeverisë së Netanyahut.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka shpallur një paketë masash drastike ndaj Izraelit, duke i cilësuar si hapa të domosdoshëm për të ndalur “gjenocidin në Gaza”.

Nismat u bënë publike të hënën gjatë një fjalimi të mbajtur në Madrid dhe përfaqësojnë veprimin më të ashpër që një shtet i Bashkimit Evropian ka ndërmarrë deri më sot ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut.

Masat e shpallura përfshijnë:

  • Mbylljen e porteve spanjolle për anije izraelite që transportojnë sisteme mbrojtëse apo armë.
  • Ndalimin e hapësirës ajrore për çdo avion që transporton armë ose municione drejt Izraelit.
  • Refuzimin e hyrjes në portet spanjolle të çdo tankeri që furnizon me karburant Ushtrinë izraelite.
  • Paraqitjen e një projektligji në parlament për një embargo të plotë armësh ndaj Izraelit.
  • Heqjen nga portet dhe tregjet spanjolle të produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara.
  • Rritjen e financimit për Autoritetin Palestinez dhe UNRWA.
  • Ndalimin e hyrjes në Spanjë për individë që, sipas Madridit, janë të përfshirë drejtpërdrejt në krime në Gaza.

Sánchez deklaroi se këto vendime synojnë të ushtrojnë presion diplomatik dhe ekonomik ndaj qeverisë së Netanyahut, duke theksuar se “Spanja nuk mund të qëndrojë spektatore përballë shkatërrimit të jetëve të pafajshme”.

Reagimi i Izraelit

Tel Avivi reagoi menjëherë përmes ministrit të Jashtëm Gideon Saar, i cili akuzoi kryeministrin spanjoll për “antisemitizëm” dhe për përdorimin e konfliktit në Gaza për të mbuluar problemet e brendshme politike.

Si kundërpërgjigje, Izraeli njoftoi ndalimin e hyrjes së dy ministreve spanjolle – të Punës dhe të Rinisë – të cilat i përkasin krahut të majtë të koalicionit të qeverisë Sánchez.

Një hap që sfidon BE-në

Masa të tilla shënojnë një precedent të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian, ku deri tani kritikat ndaj Izraelit kanë qenë më tepër në formë deklaratash politike, e jo sanksionesh konkrete. Lëvizja e Spanjës pritet të shkaktojë debate të forta mes vendeve anëtare dhe të testojë unitetin e politikës së jashtme të BE-së.

Sipas analistëve, vendimi i Sánchez jo vetëm që përforcon imazhin e tij si një nga kritikët më të zëshëm të Izraelit në Evropë, por gjithashtu rrezikon të thellojë përplasjet diplomatike mes Madridit dhe Tel Avivit në javët e ardhshme.