SPAK heton 41 raste, kallëzimet për korrupsion në zgjedhje

Prokuroria e posaçme në Shqipëri po kryen veprime hetimore për 41 kallëzime të regjistruara në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në përgjigjen zyrtare drejtuar ABC News, SPAK konfirmoi se deri në datë 26 maj janë depozituar 192 kallëzime që lidhen me krimet zgjedhore dhe deri më tani për 41 prej tyre janë gjetur elemente të veprës penale dhe janë duke u kryer veprime më të thelluara hetimore. Për 38 kallëzime është vendosur mos-fillim për shkak se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për vijimin e hetimeve.

Numri më i lartë i procedimeve  është iniciuar nga Policia e Shtetit me 21 të tilla, ndërsa 4 nga subjektet politike. Nëpërmjet platformës online që u ngrit për herë të parë nga SPAK janë  dorëzuar 60 kallëzime, ndërsa 24 të tjera janë denoncuar nëpërmjet postës.

Numri më i madh i procedimeve të regjistruara prej 35, lidhet me veprën penale të korrupsionit në zgjedhje, e ndjekur nga ajo e përdorimit te funksionit publik për qëllime politike dhe shpërdorimi i detyrës.

Gjatë kësaj periudhe, SPAK ka zhvilluar disa operacione në kuadër të krimeve zgjedhore duke ushtruar kontrolle dhe sekuestruar aparate celulare, mes të cilëve atë të zëvendës kryetarit të bashkisë Pukë, Ndue Suma, kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës Kristijan Shkreli si dhe ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Në janar të këtij viti, prokuroria e posaçme ngriti një strukturë të veçantë për hetimin e krimeve zgjedhore. /abcnews.al