SPAK çon për gjykim Laert Haxhiun, porositës i tre vrasjeve dhe sulmeve me eksploziv

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi për gjykim çështjen ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Ndërkohë Haxhiu është dënuar me burgim të përjetshëm për atë që njihet si Masakra e Lushnjes, ngjarje e ndodhur në 2017-ën.

Kujtojmë se më 4 tetor, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: Ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.

Po ashtu, prokuroria tha se ai ka marrë pjesë në tentativën për vrasjen e shtetasit Kujtim Meta. Hetimet e kryera dhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, zbardhën gjithashtu edhe katër raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, vjedhje me dhunë e sigurim kushtesh për vrasje.

Grupi rezulton se ka pasur të shtrirë aktivitetin nga viti 2021 deri në 2023, kohë kur Laert Haxhiu u arrestua në Greqi./tvklan/