Sozia i Leo Messit nuk lejohet të garojë politikisht, komisioni zgjedhor i tregon “kartonin e kuq”

Drejtësia argjentinase ka refuzuar përpjekjen e një imituesi të njohur të Lionel Messit për të kandiduar në zgjedhjet bashkiake të Mar del Plata me një emër artistik, që i referohet drejtpërdrejt kampionit të botës me kombëtaren e Argjentinës.

Aktori Leonardo Gorri, me emrin artistik “No Soy Messi” (nuk jam Messi), synonte vend si këshilltar bashkiak në një listë qytetare, duke shfrytëzuar famën e fituar në rrjetet sociale falë ngjashmërisë së tij me lojtarin aktual të Inter Miami. Ai e justifikonte kërkesën duke thënë se “njerëzit më njohin me këtë emër”, raporton portali “Infobae”.

Megjithatë, komisioni zgjedhor e refuzoi kërkesën e aktorit dhe kandidatit të mundshëm, duke argumentuar se përdorimi i emrit të Messit “synon të shfrytëzojë njohjen e një personaliteti të vlerësuar pozitivisht në nivel ndërkombëtar, duke krijuar mundësi konfuzioni te elektorati”. Në vendimin e komisionit lexohet gjithashtu: “Duhet theksuar se Messi është një markë e regjistruar në emër të Lionel Andrés Messi Cuccittini”.

Në të kaluarën, Leonardo Gorri ka punuar si shofer autobusi, taksie dhe kamioni, teksa shpesh ndalej në rrugë për t’u fotografuar nga njerëzit. Më pas filloi ta shfrytëzonte në rrjetet sociale ngjashmërinë e tij me kampionin e madh argjentinas.

The post Sozia i Leo Messit nuk lejohet të garojë politikisht, komisioni zgjedhor i tregon “kartonin e kuq” appeared first on Telesport.