Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Cali”.
Procesi gjyqësor ndaj Mustafës do të fillojë në orën 09:30.
Në këtë seancë do të dëgjohet dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W01678.
Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, ku deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hasë, e që Salih Mustafa është edhe i arrestuari i parë nga Specialja.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.