Babai i Hashim Thaçit, Haxhiu, do të varroset ditën e sotme në Burojë të Skënderajt nga ora 15:00.
Gjatë ditës do të ketë homazhe dhe mbledhje komemorative në palestrën ‘Ilaz Kodra’ në Skënderaj.
Duke qenë se për varrimin e babait Gjykata Speciale nuk e ka lejuar të vijë Thaçin, kjo ka nxitur reagime të mëdha.
Në varrim pritet pjesëmarrje masive, të cilën shumëkush në rrjete sociale e ka quajtur edhe mesazh për Gjykatën Speciale.
Gjykata Speciale nuk ka lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), e cila ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht të papranueshëm.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.” – thuhet mes tjerash në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur revoltën thellë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë si një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe një akt të qëllimshëm për të degraduar figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.”
Për këtë vendim, kanë reaguar liderë politikë në Kosovë, Edi Rama në Shqipëri, e deri te Richard Grenell në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjykata Speciale në anën tjetër nuk ka dhënë asnjë detaj.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën, ish-krerëve të UÇK-së nuk i ishte lejuar ardhja nëpër varrime, por vetëm disa ditë pas varrimit, për homazhe te varrezat.