Një tentativë e re, e nënta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të bëhet sot.
Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.
Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.
Në seancën e fundit, ajo ka marrë vetëm 54 vota – më pak se në tentativat e mëparshme – përballë 44 kundër dhe tri abstenimeve
Në prag të seancës së sotme, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në një takim konsultativ dy partitë më të mëdha: Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
PDK-ja, përmes kryetarit Memli Krasniqi, pranoi ftesën dhe konfirmoi pjesëmarrjen në takim të planifikuar për sot në orën 08:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës konstituive. Krasniqi theksoi nevojën urgjente për zhbllokimin institucional dhe propozoi gjetjen e një kandidati për kryetar Kuvendi që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve. Megjithatë, ai theksoi se pozita e nënkryetarit nuk është objekt diskutimi.
Në anën tjetër, LDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në takim. Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan për gazetën online Reporteri.net qëndrimin refuzues.
PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.
Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00. /Reporteri.net/