18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.
Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, si anëtare e Rrjetit Evropian të Shoqatave të Pacientëve, që nga viti 2013 edhe në Kosovë kremton ditën e të drejtave të pacientëve me 18 Prill.
Kremtimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve se kanë të drejta në kujdesin shëndetësorë, por edhe përçimin e mesazhit tek institucionet se duhet të respektohen të drejtat e garantuara me legjislacion.
Në shënim të kësaj dite, sot Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë organizon tryezën diskutuese mbi temën “Siguria e pacientit dhe infeksionet e lidhura me kujdesin shëndetësor” në Hotel “Sirius” në ora 10:00.