Sot shënohet 20 vjetori i rënies së Shkëlzen Haradinajt dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131

Sot shënohet 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit, dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

OVL e UÇK-së në Dukagjin organizon homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, si dhe te shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Më 16 prill 1999, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër me forcat serbe për të mbrojtur popullatën civile që ishte e strehuar në vendin e quajtur Duboçak të Bardhaniqit, Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në altarin e Atdheut bashkë me shokët dëshmorë Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj.

Shkëlzeni me shokët e tjerë dëshmorë, me nderime të larta ushtarake u varros në Malet e Maznikut, për t’u rivarrosur në Kodrën e Dëshmorëve në Gllogjan më 24 gusht 1999. Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti dhe e mban emrin e Shkëlzen Haradinajt. Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia dha gradën gjeneralkolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Fokusi.info/

 

Related Posts