Sot para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës do të protestohet prapë për vendimin e marrë nga BQK-ja për rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve.
Grupi “Speedomaniaks”, përmes një postimi në facebook pati njoftuar se sot, e shtunë e datës 23 nëntor në orën 16:00, protesta do të mbahet para objektit të BQK-së.
Një protestë e ngjashme u mbajt edhe dje para BQK-së, me të njëjtat arsye.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%, veçse ka nisur të zbatohet.
Guvernatori Fehmi Mehmeti, ditë më parë në një konferencë për media, ka theksuar se rishikimi i çmimeve që kanë mbetur nga viti 2001 do të duhej të bëhej çdo vit dhe se këtë vit është bërë për t’i shmangur shkeljet ligjore. Por, ai nuk ka konsideruar të ketë bërë shkelje ligjore edhe vetë, që mban këtë pozitë nga marsi i vitit 2018, dhe, mes tjerash, tha se rishikimi është bërë për t’i mbrojtur polis-mbajtësit.