Sot pritet të konstituohet Kuvendi i Kosovës

Sot, në orën 17:00 do të zhvillohet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e tij.

Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP, do të shërbejë si ndihmëse në hapje të punimeve.

Kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, ka mbajtur një mbledhje me përfaqësuesit e partive parlamentare për të dakorduar detajet organizative të seancës.

Në rendin e ditës përfshihet fillimisht formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, pasuar nga betimi i tyre.

Më pas do të vijojë votimi për Kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët.

Sipas marrëveshjes së fundit mes partive, nënkryetarët pritet të votohen si një pako e vetme, për të përshpejtuar procesin e konstituimit dhe më pas të vazhdohet me formimin e qeverisë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve, do të ulet në ulëset qendrore të sallës plenare, ndërsa partitë e tjera do të pozicionohen sipas praktikave të zakonshme parlamentare.