Sot hapet Zyra e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit
Zyra Doganore e Republikës së Kosovës tashmë do të mund të kryejë procedura doganore në Portin e Durrësit dhe Porto-Romano, për zhdoganimin e mallrave që kanë destinacion final përdorimi Republikën e Kosovës. Për këtë qëllim, zyrtarët/oficerët doganorë të doganës së Kosovës kryejnë në Portin e Durrësit dhe Porto-Romano procedurat e kontrollit/ekzaminimit fizik të mallrave.
Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare dhe që ka marrë fuqi ligjore, bazuar në indikatorët dhe analizën e riskut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, përgatit listën e mallrave me risk, për të cilat nuk mund të zbatohet procedura e mësipërme.
“Punonjësit doganorë të Doganës Durrës bashkëpunojnë dhe shoqërojnë zyrtarët e Doganës së Kosovës në kryerjen e funksioneve të tyre. Me përfundimin e procedurave të kontrollit nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, vijohet me formalitetet doganore shqiptare. Në rastet kur gjatë kontrolleve të kryera nga personeli zyrtar i Doganës së Kosovës konstatohen mallra të ndaluara apo trafikim i qenieve njerëzore, njoftohen menjëherë organet e policisë dhe ato doganore shqiptare. Dega e Doganës Durrës u mundëson zyrtarëve të Doganës së Kosovës përdorimin e peshores apo të mjeteve të tjera në administrim të saj, për ushtrimin e detyrave të përcaktuara” përcaktohet në vendim.
Për kryerjen e deklarimit në përputhje me këtë vendim dhe të veprimeve të transitit në Republikën e Shqipërisë, përfshirë vendosjen e garancisë për borxhin e mundshëm në këtë regjim, njihen licencat e agjencive doganore të Republikës së Kosovës.
Pas dorëzimit zyrtar të listës dhe të kopjeve të licencave nga Dogana e Kosovës, këto agjenci regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me qëllim njohjen dhe regjistrimin nga Dogana e Kosovës, dërgon pranë kësaj të fundit listën dhe kopje të licencave të agjencive doganore të Republikës së Shqipërisë.
Autoriteti Portual i Durrësit, Ministria e Brendshme apo subjektet e tjera të përfshira sigurojnë lejet e hyrjes për zyrtarët e Doganës së Kosovës, në ambientet e Portit të Durrësit dhe Porto-Romano, sipas listës që dërgohet nga Dogana e Kosovës dhe konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Zyrtarët e Doganës së Kosovës do të ushtrojnë funksionet e përcaktuara me uniformë apo me kostume civile me jelek me shenja identifikuese të Doganës së Kosovës. Mjetet e transportit të Doganës së Kosovës lejohet të kenë mbishkrimet dalluese të saj.