Përvojë, lidership dhe karizëm, përveç elegancës së pakufishme dhe karrierës së mbushur me trofe. Të gjitha këto i sjell me vete Luka Modric në botën e Milanit, teksa mesfushori kroat nis sot zyrtarisht aventurën e tij me fanellën kuqezi. Tifozët milanistë e kanë pritur me padurim, ndërsa sot, më në fund, do ta shohin ish-yllin e Real Madrid të rikthehet nga pushimet. Fituesi i “Topit të Artë”, në orën 17:00 do të flasë në konferencë për shtyp, përpara se të takohet me tifozët në mjediset e klubit.
Pas pushimeve të kaluara me familjen, Modric është gati për të nisur kapitullin e ri në Milano. Stërvitjet në fushë do t’i fillojë nesër në Milanello, ku do të njihet me trajnerin Massimiliano Allegri dhe shokët e rinj të skuadrës, në seancën e parë si lojtar i Milanit. Kroati do të duhet të rikuperojë tri javë përgatitje në krahasim me pjesën tjetër të grupit, i cili për momentin është kthyer nga turneu aziatik dhe ka përfituar disa ditë pushim nga Allegri.
Detyra e Modric do të jetë të sjellë cilësi në fushë dhe të shtojë përvojë e lidership në një dhomë zhveshjeje që vuajti sezonin e kaluar. E gjithë skuadra është e gatshme të punojë me të, ndërsa vendimin për ta pranuar Milanin e ka marrë pas takimit me Igli Taren, i cili udhëtoi në Zagreb për ta bindur përfundimisht.
Tani i takon Massimiliano Allegrit ta shfrytëzojë sa më mirë Modric dhe ta menaxhojë fizikisht. Edhe pse në moshën 39-vjeçare, Luka Modric ende mund ta bëjë diferencën, dëshiron shumë të shkëlqejë edhe me fanellën kuqezi.
The post Sot është dita e Modric te Milani. Nga konferenca për shtyp te takimi me tifozët, zbulohet axhenda appeared first on Telesport.