Kanë kaluar tri ditë që nga vdekja e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Megjithatë, Thaçi ende nuk ka ardhur në Kosovë as për të pame deri më tash, se lëre për varrim.
Kjo pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ende nuk kanë dhënë leje që ai ta vizitojë Kosovën.
Kjo pavarësisht se kërkesa u bë ditën e hënë në orën 14:00. Kështu të paktën kishte konfirmuar vetë avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar Misetiq.
Ky reagim konfirmoi raportimin e Nacionales në po të njëjtën ditë.
Mbetet të shihet nëse Thaçi do të lejohet të vijë në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme, dhe ku do të lejohet ai që të shkojë.
Në të kaluarën, Kadri Veseli apo krerët e tjerë të UÇK-së, lejoheshin vetëm për homazhe te varri, dhe për takime me 2-3 familjarë të ngushtë.
Vonesat në përgjigjen e Gjykatës, kanë shkaktuar reagime të mëdha në publik.
Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, ka ripostuar shkrimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti Gjykatën Speciale një tribunal “të turpshëm dhe të paturpshëm”që, tha ai, ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë.
Reagimi i Ramës erdhi pas vendimit të Speciales për të mos lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u nda nga jeta më 16 mars.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”– shkroi Rama.
Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, mbetet një nga kritikët më të ashpër të Gjykatës Speciale. Së fundmi, në mesazhin e tij për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai shprehu shqetësimin për trajtimin e Speciales ndaj Thaçit.
Në anën tjetër, Gjykata Speciale bëri të ditur se pas vendimit të gjyqtarëve, duhet të bëhen disa përgatitje, transmeton nacionale.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”,thuhet në përgjigje.