Sorenseni përgatitet për të çuar përpara dialogun mes tensioneve ndërmjet Brukselit e Uashingtonit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka filluar përgatitjet në kuadër të mandatit të tij për të avancuar dialogun Prishtinë-Beograd. Megjithatë, një element i rëndësishëm që mungon në agjendën e tij diplomatike deri më tani është komunikimi me administratën e re të Shteteve të Bashkuara.

Ai ka zhvilluar takime me liderët kosovarë dhe serbë, përfshirë presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani dhe Albin Kurti – si dhe me kryediplomatin serb, Marko Gjuriç, dhe ministren për Integrime Evropiane të Serbisë, Tanja Mishçeviç, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Sorenseni ka lajmëruar për secilin takim që ka zhvilluar pas marrjes së mandatit në fillim të shkurtit, përfshirë ato me zyrtarë të lartë të Gjermanisë dhe Francës, si dhe me diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë, me qëllim avancimin e dialogut. Megjithatë, deri më tani, ai nuk ka njoftuar për zhvillimin e diskutimeve me zyrtarët amerikanë.

Kjo mungesë e komunikimit me zyrtarët amerikanë – të cilët në të kaluarën kanë luajtur një rol të rëndësishëm në proces – vjen në një moment kritik për marrëdhëniet transatlantike, për shkak të tensioneve në rritje mes Uashingtonit dhe Brukselit, të cilat janë intensifikuar pas rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Një nga porositë e fundit të paraardhësit të Sorensenit, Mirosllav Lajçak, që mbetet gjithashtu një udhëzues i rëndësishëm për të ardhmen e dialogut, ka qenë nevoja për të vendosur kontakte mes BE-së dhe SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe të arrihet një marrëveshje për një qasje të përbashkët ndaj Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, në mars pritet që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për funksionalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke përfshirë angazhimin e mëtejshëm në nivelin politik dhe diplomatik. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të luajë një rol kyç në udhëheqjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Kallasi ka theksuar para disa javësh se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes dy vendeve, dhe ka paralajmëruar që së bashku me Sorensenin do t’i analizojnë mundësitë se si procesi i dialogut mund të bëhet funksional dhe efikas.

Liderët e Kosovës kanë kërkuar disa herë nga strukturat e reja të BE-së që të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të arritur në vitin 2023, dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu, krahas pritshmërisë që administrata e re amerikane të avancojë njohjen reciproke.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, ndërsa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i lojtarëve globalë në dialogun Kosovë-Serbi.