- Serbia: Asociacioni, parakusht.
- Kosova: Plan sekuencimi i balancuar dhe i drejtë.
Në vizitën e parë në Prishtinë e Beograd, Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, i gjeti qëndrimte e kahershme të etabluara të palëve.
Në Prishtinë para gazetarëve tha se vlerësimet për gjendjen do t’i ndërtojë vetëm pasi të shkojë edhe në Beograd, dhe t’i bëjë bashkë për të nxjerrë përfundime se si ecet para.
Nga Beogradi, Aleksandar Vuçiq, nxori komunikatë për media rreth takimit dhe e qendërzoi në qëndrim të themelimit të Asociacionit “si parakusht për normalizim thelbësor” të marëdhënieve.
Vuçiq i qëndroi mantrës së tij propganduese se “Prishtina po bën obstruksione ndaj procesit të dialogut”, pavarësisth se nuk ka më proces dialogimi, por zbatimi të Marrëveshjes Bazike/Ohrit që ai e shmang si referencë.
Këtë marrëveshje Serbia e ka të përfshirë – si ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme – në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për më tepër, një kapitull të ri që supozohej ta hapte në negociatat në BE, iu bllokua saktësisht për shkak të mospërparimit në zbatim të marrëveshjes me Kosovën/
“I rikthesova qëndrimin e Serbisë që veç dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet përmes kompromisit mund të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai në Facebook.
Qëndrimi që u dha nga Qeveria e Kosovës
Në asnjë rresht të vetëm se përmendën çështjen e Asociacionit, që përkthehet në obligimin thelbësor të dalë nga Marrëveshja Bazike, për të cilën, për më tepër, është prodhuar edhe një draft-Statut i cili është shndërruar edhe në qëndrim të njëzet e shtatë shteteve të BE-së karshi Kosovës, i miratuar në Konkluzionet e Këshillit të BE-së.
Nga Zyra e Kryeministrit u deklaruan se Kurti i ka qëndruar kërkesës për një plan sekuencimi të zbatimit – “të drejtë dhe të balancuar, të pakushtëzuar”.
Krahas kësaj kërkuan edhe dorëzimin, përkatësisht ekstradimin, e përgjegjësit të sulmit paraushtarak dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Milan Radojçiq.
Për këtë të fundit, Serbia as s’ka ngritur ende as aktakuzë – dhe krejt çka kanë ndërmarër ndaj tij, në kuptim “Potemnik”, është një ndalesë për t’u larguar nga Serbia përmes marrjes së pasaportës serbe të tij.
Çka ka thënë Sorensen deri tash?
“Fillim i mirë”, ishte krejt çka mundi të thotë në vizitën e parë në vend, emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
U rezervua dhe pezulloi të dhënit vlerësime të mëtejme nga bisedimet me krerë të shtetit – tha se shkon në Beograd për të kompletuar vështrimet.
“Pasi t’i kem bërë këto bisedime mund të ulem dhe të bëjë vlerësime se ku jemi”.
U pyet për “kompromise” nga palët – dhe, në shprehje lakonike, tha se “këtë e përcaktojnë palët” e jo ai si ndërmjetës – duke i qëndruar asaj se në vizitën e tij të parës pati thjesht “takim njoftues”.
Por, nga Presidenca e Kosovës, njoftuan në gjerësi se për çka u fol.
Mes tyre, u tha se Vjosa Osmani, i ka paraqitur “vërejtjet” për draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Anomalia? Qeveria e Kosovës këtë dokument tash e quan “non-paper”, “jo-dokument” e “dokument pa autor” – e që rrjedhimisht, po t’i besohet qëndrimit të qeverisë, Presidenca nuk do të duhej të mundtte të paraqiste vërejtje për një dokument juridikisht joekzistues.
“Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.