Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është deklaruar pas takimeve që zhvilloi me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, me të cilët tha se ka diskutuar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura.
Sorensen ka paralajmëruar vonesa në dialog, shkaku i ngërçit institucional në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i implementojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë Sorensen, para gazetarëve.
Presidenca e Kosovës lëshoi më herët deklaratë rreth takimit që Sorensen pati me Osmanin.
Sipas njoftimit, Osmani gjatë takimit ka kërkuar heqjen e masave, teksa kanë folur edhe për konstituimin e Kuvendit, si dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia.
“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sa i përket dialogut, Osmani ka kërkuar process të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.
“Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”.
Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, e që sipas saj duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian.
“Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”.
Pas Osmanit, Sorensen ka nisur takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Zyra e Kryeministrit ende s’ka dalë me komunikatë rreth takimit që Sorensen pati me Kurtin.