Sony po punon me një sensor të madh 200 MP për kamerat kryesore

Ka ardhur informacioni se Sony është duke zhvilluar një sensor të vetin të madh 200 MP, të cilin do ta përdorë për kamerat kryesore të smartfonëve flagship që janë planifikuar për këtë vit.

Sensori 200 MP ISOCELL HP9 i Samsungut ka pasur sukses në kamerat telefoto periskopike, duke filluar nga smartfoni Vivo X100 Ultra, e më pas në modelet X200 Pro, Xiaomi 15 Ultra dhe së shpejti në Vivo X200 Ultra.

Po ashtu, ISOCELL HP2 200 MP është pjesë e kamerës kryesore në Samsung Galaxy S25 Ultra. Ky është një sensor 1/1.3 inç, ndërsa thashethemet e reja thonë se Sony po punon mbi një sensor të madh 200 MP, që do të përdoret nga smartfonët flagship që do të dalin në treg më vonë këtë vit, ata që do të drejtohen nga procesorët MediaTek Dimensity 9500 ose Snapdragon 8 Elite 2.

Sensori i Sonyt do të jetë më i madh se 1/1.3 inç, duke pasur potencialin të jetë më i mirë se ai i Samsungut, të paktën kur bëhet fjalë për mundësitë e thithjes së dritës.

Fatkeqësisht, deri tani nuk ka detaje të tjera, por është mirë të shihet që Sony po punon aktivisht për të ofruar konkurrencë për ofertën e kamerës 200 MP të Samsungut. Më shumë mundësi për blerësit mund t’i shërbejnë vetëm atyre. /Telegrafi/